Mbyllja e qeverisë amerikane, ambasada në Kosovë njofton për disa kufizime

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka njoftuar për disa kufizime në shërbime.

Kjo si pasojë e mbylljes së qeverisë në Amerikë si pasojë e projektligjit të financimit.

“Për shkak të mungesës së fondeve të alokuara, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë”, thuhet në njoftim.

“Në këtë kohë, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave në Shtetet e Bashkuara dhe në Ambasadat dhe Konsullatat e SHBA-së jashtë vendit do të vazhdojnë gjatë mungesës së fondeve të alokuara, sipas situatës. Ne nuk do ta përditësojmë këtë llogari derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë”, thuhet aty.

Qeveria amerikane është mbyllur zyrtarisht për herë të parë në gati shtatë vjet, pasi demokratët e Kongresit refuzuan që të mbështesnin një pako financimi të propozuar nga republikanët pa fituar një varg koncesionesh të përqendruara rreth kujdesit shëndetësor.

Kjo është hera e parë që Qeveria amerikane mbyllet që nga mbyllja 35-ditore që kishte nisur në fund të vitit 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Republikanët po e zhysin Amerikën në mbyllje [të Qeverisë], duke i refuzuar bisedimet dypartiake, duke shtyrë një projektligj dypartiak dhe duke e rrezikuar kujdesin shëndetësor të Amerikës” – tha të martën në mbrëmje senatori demokrat, Chuck Schumer.

Muajin e kaluar, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan një projektligj me të cilin do të financohej Qeveria deri më 21 nëntor, por për të nevojitet edhe mbështetja e disa demokratëve për ta kaluar pragun prej 60 votash për miratim në Senat. Projektligji nuk i mori votat e mjaftueshme të martën vonë, ndërsa republikanët gjithashtu bllokuan një propozim të demokratëve për ta vazhduar financimin deri në tetor.

Senatorët e Partisë Republikane kanë caktuar një rund tjetër votimi për dy projektligjet e financimit për të mërkurën në mëngjes. Qëllimi i deklaruar është që t’u jepet demokratëve një mundësi për të ndërruar mendje.

Shtëpia e Bardhë i është kundërpërgjigjur rrezikut për mbyllje duke njoftuar plane për shkarkimin masiv të punëtorëve federalë, nëse financimi nuk miratohet. “Kur e mbyllni, duhet të bëni shkarkime, prandaj ne do të shkarkonim shumë njerëz. Ata do të jenë demokratë” – tha më herët të martën presidenti Trump.

Pak pas dështimit të votimit, Russ Vought, drejtor i zyrës së Shtëpisë së Bardhë për menaxhim dhe buxhet, lëshoi një letër me të cilën i fajësoi “kërkesat e çmendura të politikave” nga demokratët për mbylljen e Qeverisë.

Go to TOP