Shehu: AAK e VV bllokuan buxhetin e Junikut për vitin 2026, LDK do ta çojë komunën përtej

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku nuk u miratua buxheti i Komunës për vitin 2026.

Sipas Shehut, asamblistët nga radhët e AAK-së dhe Vetëvendosjes munguan në këtë mbledhje duke pamundësuar kuorumin dhe, si pasojë, edhe miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar për zhvillimin e komunës.

“Asamblistët nga partitë AAK dhe VV nuk kanë qenë prezent në këtë mbledhje. Për pasojë nuk ka pasur kuorum dhe nuk është miratuar buxheti i Komunës për vitin 2026. Paradoksalisht, këto parti e kanë gojën plot me premtime elektorale të mëdha. Mirëpo asnjë projekt në Junik nuk do mund të realizohet sepse vet ata sot nuk e miratuan buxhetin. Prandaj edhe premtimet e tyre janë të pasinqerta,” tha Shehu.

Ai shtoi se LDK është e vetmja alternativë serioze për zhvillimin e Junikut dhe se zgjedhjet e 12 tetorit do të sjellin një fitore të thellë të kësaj partie në komunë.

“Fitorja e LDK në Junik më 12 tetor do të jetë madhështore. Për këtë arsye duhet të votohen edhe kandidatët tanë për Kuvendin Komunal. Balotazh nuk do të ketë dhe LDK në Junik do të vazhdojë +4,” theksoi Shehu.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor në të gjitha komunat e Kosovës, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe përbërjen e kuvendeve komunale. /Kosova.info/

Go to TOP