Abdixhiku dhe Rama: Vetëm LDK-ja realizon projektet e mëdha në Prishtinë
Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryetar të Prishtinës theksojnë sukseset e mandatit të mëparshëm dhe vizionin për katër vitet e ardhshme
Abdixhiku: Vetëm me LDK-në përfundojnë projektet e mëdha në Prishtinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi sonte në një tubim me degën e dytë të LDK-së në Prishtinë se projektet e mëdha në kryeqytet realizohen vetëm me LDK-në. Ai shtoi se kryeqyteti është me LDK-në dhe me kryetarin aktual, Përparim Ramën, të cilin e shprehu të bindur se do të fitojë edhe një mandat tjetër katërvjeçar.
“Prishtina është e kaltër. Prishtina është me LDK-në. Prishtina është me Përparim Ramën. Kur Prishtina është me ne, e gjithë Kosova është me ne… Kur qytetarët e Prishtinës kërkojnë vizion dhe punë, ata gjithmonë e shikojnë rrugën drejt nesh. Kur kanë kërkuar stabilitet, ne kemi dhënë këtë stabilitet. Kur kanë kërkuar punë konkrete, ne iu kemi sjellë atë punë dhe këtë e dëshmojmë sot bashkë me të gjithë ju. Katër vite më parë ne erdhëm në qytetin tonë me një vizion të ri dhe kandidat të jashtëzakonshëm. Vetëm me LDK-në përfundojnë projektet e mëdha në Prishtinë dhe Kosovë. Me LDK-në nisi dhe përfundoi rruga A, rruga B, ndërkaq të tjerët vijnë dhe shkojnë, por nuk lënë asnjë shenjë”, tha Abdixhiku.
Përparim Rama: Ndërtimi i tunelit në rrugën Agim Ramadani lidh qendrën me zonën e vjetër
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës dhe kryetar aktual, Përparim Rama, foli për punët infrastrukturore të realizuara gjatë mandatit të tij dhe projektet e ardhshme. Ai njoftoi ndërtimin e një tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, i cili do të lidhë qendrën e qytetit me zonën e vjetër.
“Kemi punuar shumë këto katër vite në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, por po fokusohemi në Prishtinën e vjetër. Kemi bërë përmirësime të mëdha në rrugë dhe kanalizime, kemi zgjeruar rrugën Bajram Bahtri në tri korsi në drejtim të Gollakut. Kemi sanuar dhe asfaltuar shumë rrugë në Kolovicë, si në Tasligje dhe Taukbahçe. Kemi zgjeruar rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësit, kemi përmirësuar rrjetin e infrastrukturës rrugore që ka qenë prioritet i qeverisjes sonë. Nënkalimi Agim Ramadani është i nevojshëm për ta lidhur qendrën me zonën e vjetër”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se do të vazhdojnë me ndërtimin e shesheve të reja dhe krijimin e hapësirave të sigurta për qytetarët e Prishtinës. /Kosova.info/
