Rama: Prishtina po bëhet qendër rajonale e inovacionit digjital
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për një projekt të ri që synon ta shndërrojë kryeqytetin në qendër të zhvillimit teknologjik dhe inovacionit në rajon.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Gjirafa Inc. dhe pesë kompani të tjera të teknologjisë, po planifikojnë ngritjen e një Tech Hub-i të ri në Parkun Industrial Ekologjik në Bernicë.
Rama theksoi se ky projekt është dëshmi e kthimit të suksesit të diasporës në Kosovë duke e vlerësuar Mërgimin si shembull të gjeneratës që solli ekspertizën ndërkombëtare në vend dhe po e kthen Prishtinën në një qendër të inovacionit.
“Krenaria jonë janë kompanitë e tilla që jo vetëm konkurrojnë në tregun global, por zgjedhin të rikthejnë suksesin në Kosovë duke krijuar punësim e zhvillim. Prishtina po konsolidohet jo vetëm si kryeqytet i Kosovës, por si kryeqytet i së ardhmes digjitale të botës,” deklaroi Rama. /Kosova.info/
