Besa Shahini propozon “vacancy tax” për 27 mijë banesat e pashfrytëzuara në Prishtinë
Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), Besa Shahini, ka ngritur shqetësimin për mbi 27 mijë banesa që mbeten të pashfrytëzuara në kryeqytet, në një kohë kur kërkesa për banim është në rritje dhe çmimet e tregut po bëhen të papërballueshme për shumë qytetarë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Shahini ka propozuar zbatimin e një “vacancy tax” – një takse për banesat që qëndrojnë bosh – e cila tashmë zbatohet në qytete të mëdha si Zagrebi, Londra, Parisi dhe Vankuveri. Qëllimi i kësaj mase, sipas saj, është të nxisë pronarët që të fusin banesat e pashfrytëzuara në treg duke rritur ofertën dhe balancuar çmimet e banimit.
“Kjo masë do të rrisë ofertën dhe do të ulë çmimet e banimit edhe në Prishtinë,” ka shkruar Shahini duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm drejt një tregu më të drejtë dhe të qasshëm për të gjithë.
Ajo ka theksuar se përballueshmëria e banimit është një nga sfidat më të mëdha sociale me të cilat përballet Prishtina dhe se kërkohen politika të guximshme për t’u përballur me këtë krizë. /Kosova.info/
