AVONET denoncon ndalimin dhe kërcënimin e zyrtarit të saj nga Policia e Kosovës: Kërkon hetim urgjent dhe suspendim të policëve të përfshirë

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka reaguar ashpër ndaj një rasti të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Ferizaj, ku sipas tyre, Zëvendës Drejtori i organizatës është ndalur dhe më pas kërcënuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, pa asnjë dyshim të arsyeshëm, pa arsye ligjore dhe në kundërshtim me të gjitha standardet demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Në njoftim theksohet se policët kanë përdorur edhe forcë fizike joproporcionale duke e cilësuar këtë si abuzim të rëndë me detyrën dhe akt të frikësimit institucional. Madje, sipas AVONET-it, njëri prej policëve i është drejtuar zyrtarit të tyre me fjalët: “T’qaj veç e hap gojën edhe ni herë”.

Organizata ka bërë të ditur se vetë deklaratat e policëve tregojnë se ndalimi është kryer pa ndonjë dyshim të arsyeshëm duke dëshmuar, sipas tyre, se në radhët e policisë ka individë që veprojnë jashtë çdo kontrolli ligjor dhe etik.

AVONET ka theksuar se kërcënimi ndaj një përfaqësuesi të shoqërisë civile jo vetëm që është i papranueshëm në një shtet demokratik, por përbën edhe vepër penale sipas nenit 181 të Kodit Penal të Kosovës. Organizata e cilëson këtë rast si shembull të një “kulture të rrezikshme të pandëshkueshmërisë dhe arrogancës institucionale”, që duhet të marrë fund menjëherë.

Në këtë drejtim, AVONET kërkon:

Hetim të pavarur dhe të gjithanshëm nga Inspektorati Policor i Kosovës,

Ndërhyrje urgjente nga Prokuroria për trajtimin e rastit në drejtim të veprave penale si keqpërdorimi i pozitës zyrtare, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës dhe kanosja,

Suspendimin e menjëhershëm të policëve të përfshirë, deri në përfundim të hetimeve dhe

Masa për trajtimin profesional dhe psikologjik të zyrtarëve policorë në mënyrë që të shmangen rastet e ngjashme.

Në fund të reagimit, organizata thekson se Kosova nuk mund të pretendojë se është shtet demokratik nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile jetojnë me frikën e ndalimeve arbitrare dhe kërcënimeve nga ana e policisë.

“Ky rast është një dëshmi e hidhur se reforma në polici nuk është më opsion, është urgjencë”, thuhet në reagimin e AVONET-it duke bërë thirrje për mobilizim të institucioneve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile për të ndaluar degradimin e Policisë së Kosovës dhe për të siguruar që askush, pavarësisht funksionit apo uniformës, të mos qëndrojë mbi ligjin. /Kosova.info/

Go to TOP