Fisnik Osmani përmbyll mandatin në krye të Termokos: Një rrugëtim sfidues, por me sukseset më të mëdha të ngrohtores
Kryeshefi ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit “Termokos”, Fisnik Osmani, ka njoftuar përmbylljen e mandatit të tij trevjeçar në krye të kësaj ndërmarrjeje publike.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Prishtinës, Osmani e cilësoi periudhën e tij si një rrugëtim të vështirë e sfidues, por që, sipas tij, solli rezultatet më të mëdha në historinë e Termokosit.
“Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, sfidues, por brenda vetes me sukseset më të mëdha që kjo ndërmarrje ka pasur ndonjëherë. Krenaria më e madhe mbetet që sot Termokosi është më i fortë dhe më afër qytetarëve të Prishtinës,” u shpreh Osmani.
Ai falënderoi stafin, kolegët dhe qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe duke theksuar se shërbimi i tij në krye të ngrohtores ka qenë një privilegj, ndërsa arritjet dhe krenaria i takojnë të gjithëve.
“Shërbimi ishte privilegj, arritjet dhe krenaria janë të përbashkëta,” përmbylli Osmani. /Kosova.info/
