Kastrati: Gjykata Kushtetuese nën trysni, rrezikon të shtyjë përpara agjendën e Serbisë

Gazetari Rexhep Kastrati ka shprehur shqetësimin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të jetë duke vepruar nën presione të rënda, të cilat rrezikojnë të devalvojnë shtetin dhe të destabilizojnë vendin.

Ai e krahasoi presionin e sotëm ndaj gjykatësve me atë që ishte ushtruar ndaj delegatëve të Kuvendit të Prizrenit në vitin 1945 dhe ndaj delegatëve të Kuvendit të Kosovës më 23 mars 1989, kur u morën vendime në kundërshtim me frymën kushtetuese.

“Kjo trysni publike, pa përfshirë format jopublike të trysnisë, ka krijuar perceptimin se për të qenë me kushtetutën dhe shtetin e Kosovës duhet të jesh me listën ‘Srpska’, e nëse je kundër saj, je kundër kushtetutës dhe shtetit të Kosovës. Dhe aq shumë u është shpërlarë truri njerëzve, sa ka edhe që e besojnë këtë”, shkroi Kastrati.

Sipas tij, në këtë frymë agresive proserbe, është e vështirë të pritet një vendim tjetër përveç atij që do ta pasqyronte këtë presion në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Megjithatë, le të presim sa këta shtatë nofuzët me të kaluar edhe kritike, mund të dalin mbi të gjitha trysnitë dhe të dëshmojnë se shteti i Kosovës, kushtetuta e tij janë mbi të gjitha format e trysnisë, apo do të dëshmojnë se vërtet janë duke shtyrë agjenda të Serbisë në Kosovë”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP