Izraeli i bën thirrje Hamasit të dorëzohet dhe t`i lirojë pengjet

Izraeli i bëri thirrje përsëri Hamasit të dorëzohet të dielën, ndërsa ushtria kreu sulme në qendrën më të madhe urbane të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë po kërkojnë strehim.

Ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Saar u tha gazetarëve në Jerusalem se lufta mund të përfundojë menjëherë nëse Hamasi liron pengjet e mbetura që mbahen në Gaza dhe dorëzon armët.

“Do të jemi më shumë se të lumtur ta arrijmë këtë objektiv me mjete politike”, tha ai.

Në përgjigje, zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, i tha Reuters se nuk do të ulte armët, por do të lironte të gjithë pengjet nëse Izraeli pranonte të përfundonte luftën dhe të tërhiqte forcat e tij nga Gaza, një qëndrim që ka qenë prej kohësh qëndrimi i grupit militant palestinez.

Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu diskutoi sot ofensivën e vazhdueshme në Gaza, duke deklaruar se ushtria izraelite po “thellon manovrën” konkretisht brenda Qytetit të Gazës dhe periferive të tij, si pjesë e një përpjekjeje të ripërtërirë për të mposhtur Hamasin.

Netanyahu deklaroi se Forcat Mbrojtëse Izraelite po intensifikojnë operacionet në dhe përreth Qytetit të Gazës, duke synuar ato që ai i përshkroi si “fortesa të Hamasit, përfshirë kullat e terrorit”.

Muajin e kaluar, Izraeli nisi një sulm ndaj Qytetit të Gazës, qendrës kryesore urbane, dhe forcat e tij tani janë vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit. Gjatë natës, sulmet vranë 14 persona në të gjithë qytetin, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë, përfshirë një sulm ndaj një shkolle në jug të Qytetit të Gazës që strehonte palestinezë të zhvendosur.

Në përgjigje të pyetjeve të Reuters në lidhje me sulmin ndaj shkollës, ushtria tha se kishte goditur një militant të Hamasit dhe se civilët ishin paralajmëruar para se të kryhej sulmi. Forcat izraelite do të “vazhdojnë të veprojnë kundër organizatave terroriste në Rripin e Gazës me qëllim që të eliminojnë çdo kërcënim për civilët izraelitë”, tha një zëdhënës ushtarak.


Go to TOP