Mustafaj: Klinës i duhet një frymë e re dhe një vizion që përfshin të gjithë

Agon Mustafaj, student dhe banor i Klinës, ka shpallur kandidaturën e tij për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numrin 19 në fletëvotim.

Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, Mustafaj theksoi se kandidon jo për privilegj, por për përgjegjësi duke synuar të jetë zëri i tyre aty ku merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme – nga arsimi e shëndetësia, te punësimi dhe mirëqenia e familjeve.

“Klinës i duhet një frymë e re, një energji e re dhe një vizion që përfshin të gjithë. Nuk premtoj mrekulli të shpejta dhe fjalë boshe, por punë të ndershme, transparencë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me ju,” deklaroi ai.

Mustafaj u zotua për ndërtimin e një komune ku vendimet merren për të mirën e të gjithëve, ku të rinjtë kanë arsye të qëndrojnë dhe të moshuarit ndihen të respektuar, ndërsa shërbimet publike funksionojnë për çdo qytetar.

Ai ftoi qytetarët që më 12 tetor të votojnë për të duke theksuar: “Më votoni për punë të ndershme, për drejtësi dhe për zhvillim që nuk përjashton askënd.” /Kosova.info/

Go to TOP