DhTIK: Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë rrezikon ekonominë dhe mijëra vende pune
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka reaguar ashpër ndaj aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, me të cilin lejohet vazhdimi i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pavarësisht, siç thekson DhTIK, “morisë së shkeljeve ligjore dhe procedurale” që e kanë shoqëruar atë.
Sipas DhTIK, gjykata ka pasur në dispozicion prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë paraqitur vazhdimisht në takime me institucionet, por nuk janë marrë parasysh.
Oda paralajmëron se forma e zgjedhur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), e përkrahur në heshtje nga institucionet relevante, do të ketë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë: rritjen e ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike; rritjen e çmimit të produkteve; rrezikimin e mijëra vendeve të punës; uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet në rritje dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore.
DhTIK i bën thirrje ZRrE-së dhe Qeverisë së Kosovës që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke respektuar konsultimet publike dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit, siç e kërkon ligji.
Po ashtu, DhTIK kërkon që institucionet të ndajnë mjete shtesë për të përkrahur bizneset, në mënyrë që të zbuten pasojat e rënda për ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Në fund, DhTIK u bën thirrje bizneseve të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim, duke theksuar se së bashku me komunitetin e biznesit do të përdorë çdo mjet ligjor e institucional për mbrojtjen e interesave të ekonomisë së Kosovës. /Kosova.info/
