Halimi: “Çast” – muze që ruan kujtesën dhe nderon dinjitetin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka zhvilluar një takim me ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku ka vlerësuar lartë kontributin e saj në themelimin e muzeut “Çast”, një hapësirë e dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Halimi theksoi se “Çast”, i themeluar nga Fondacioni Jahjaga, përmes gjuhës së artit dhe simbolikës, sjell zërin dhe përjetimet e grave të mbijetuara, duke e shndërruar atë në një thirrje të heshtur, por të fuqishme, drejtuar shoqërisë, institucioneve dhe mbarë botës.

Në takim u diskutua për nisma të përbashkëta që synojnë promovimin e muzeut dhe forcimin e rolit të tij në ndërgjegjësimin publik. Halimi siguroi se Drejtoria për Kulturë do të mbështesë gjithmonë projektet artistike që ruajnë kujtesën kolektive dhe nderojnë dinjitetin njerëzor. /Kosova.info/


Go to TOP