Bajra: Deputetët faqezinj, turpi e ka kapluar Kuvendin që prej zgjedhjeve

Profesori universitar, Ujkan Bajra, ka reaguar me kritika të ashpra pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës duke e cilësuar situatën si një “turp të madh” që, sipas tij, po e mbulon institucionin më të lartë përfaqësues që nga zgjedhjet e fundit.

Në një postim të tij, Bajra ka ironizuar edhe me analistët dhe politikanët që, sipas tij, dalin me analiza të gjata e të gatshme menjëherë pas çdo ngjarjeje.

“Interesant – disa analistë, individ, politikan e çka tjetër, pa u mbyllur mirë seanca e Kuvendit apo pa u ditur epilogu i një ngjarjeje, dalin menjëherë me tri faqe shkrim. E tashmë dihet: e marrin krejt tekstin nga ‘ChatGPT’ dhe e shesin si mendim personal,” ka shkruar ai me ironi.

Duke komentuar krizën e vazhdueshme në Kuvend, Bajra shprehet se një mungesë serioze e përkushtimit dhe vetëdijes ka pushtuar një pjesë të madhe të deputetëve.

“Një turp i madh e ka kapluar Kuvendin e Kosovës që prej pas zgjedhjeve! Marrja e turpit i mbuloftë të gjithë ata deputetë ‘faqezinj’ që mendjen s’e kanë pasur kurrë në vend,” shkroi ai duke shtuar se përgjegjësinë e ndajnë edhe qytetarët që vazhdojnë t’i votojnë.

“Zoti na dhashtë mend neve që i votojmë!”, përfundon reagimin e tij profesori Bajra duke bërë thirrje për reflektim dhe ndërgjegjësim qytetar. /Kosova.info/

Go to TOP