Kryeziu kërkon ndërprerjen e financimit për OJQ-të nga buxheti publik: Paratë e qytetarëve nuk duhet të shkojnë për projekte luksi

Ish-kandidati për deputet dhe aktivisti politik, Kadri Kryeziu, ka reaguar lidhur me ndarjen e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile duke e cilësuar këtë praktikë si të dëmshme për interesin publik dhe duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të financimit nga buxheti i shtetit për OJQ-të.

“Dua t’i them dy fjalë për OJQ-të që marrin financim nga fondet publike. Marr shkas nga kontraverza e fundit lidhur me ndarjen e fondeve publike për projekte të shoqërisë civile,” ka shkruar Kryeziu.

Duke e krahasuar qasjen e tij me atë të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ai ka thënë se Kosova duhet të ndjekë të njëjtin model dhe të ndalë së financuari organizatat që, sipas tij, nuk japin llogari dhe shpeshherë abuzojnë me fondet.

“Në vlera civile, unë jam konzervator dhe besoj fuqishëm në disiplinë maksimale fiskale. Konsideroj që Kosova duhet të ndjekë politikën e Presidentit Trump në raport me organizatat e shoqërisë civile dhe ta ndërpres financimin e projekteve të tyre,” u shpreh Kryeziu.

Ai ka ngritur shqetësime për faturat e fryra, rrogat fiktive dhe mënyrën luksoze të jetesës së disa drejtuesve të këtyre organizatave, të cilat, sipas tij, nuk përputhen me qëllimin e shërbimit publik.

“Paratë e taksapaguesve nuk duhet të shkojnë për financimin e projekteve me fatura të fryra shpenzimesh dhe me rroga fiktive. Jo pak nga përfituesit jetojnë në luks sikur të ishin biznesmen të mëdhenj,” ka theksuar ai.

Kryeziu ka kërkuar një auditim dhe vlerësim të plotë të fondeve që janë derdhur ndër vite për OJQ-të, si dhe të ndikimit të projekteve të tyre në dobi të publikut.

“Projektet e OJQ-ve që marrin para nga buxheti nuk i nënshtrohen asnjë auditimi dhe kontrolli publik. Kjo është absurde. Nëse marrin para nga buxheti duhet t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit publik,” përfundoi ai duke theksuar se interesat publike dhe shtetërore janë shpesh të cenuara nga aktivitetet e këtyre organizatave. /Kosova.info/

Go to TOP