Krasniqi: Subvencionet për agroturizëm në Rahovec, fasadë parazgjedhore pa vizion të vërtetë
Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Burim Krasniqi, ka reaguar ndaj shpërndarjes së subvencioneve për agroturizëm nga ana e komunës duke e quajtur këtë veprim një “fasadë parazgjedhore”.
Sipas Krasniqit, shpërndarja e subvencioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh vetëm disa javë para fillimit të fushatës zgjedhore, dëshmon për mungesën e vizionit dhe seriozitetit të qeverisjes aktuale.
“Komuna jonë po shpërndan subvencione për agroturizëm… pikërisht tani, pak javë para fushatës zgjedhore. Ironia? Kjo është e njëjta komunë që nuk ka pasur kurrë vizion, strategji apo ndonjë investim serioz për këtë sektor”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai kujton se zhvillimi i agroturizmit në Rahovec është bërë ekskluzivisht falë investimeve private dhe përkushtimit të bizneseve lokale, e jo për shkak të ndonjë politike zhvillimore të Komunës.
“Pse nuk u bënë këto subvencione më herët? Pse nuk pati asnjë politikë kur vërtet kishte nevojë?”, pyet Krasniqi duke kritikuar edhe afatin shumë të shkurtër të aplikimit – vetëm nga 14 deri më 28 korrik 2025 – i cili, sipas tij, tregon për mungesë serioziteti dhe qëllim të qartë për favorizime politike.
Madje ai shpreh shqetësimin se kriteri që përjashton nga përfitimi të gjithë ata që kanë marrë mbështetje në tre vitet e fundit, mund të përdoret për të ndihmuar “të përzgjedhurit” e pushtetit aktual.
“Këto janë vetëm lëmosha të minutës së fundit. Qytetarët e Rahovecit e dinë të dallojnë ndihmën e sinqertë nga blerja e votës me para publike”, përfundon Krasniqi duke theksuar se Rahoveci ka nevojë për politika zhvillimore serioze dhe të qëndrueshme, e jo për ndërhyrje sipërfaqësore pa strategji. /Kosova.info/
