Importet nga Serbia rriten me 117% – përplasje mes Hotit dhe Muratit për shifrat

Një debat i ri ka shpërthyer mes Avdullah Hotit dhe Hekuran Muratit rreth rritjes së importeve nga Serbia. Shifrat e publikuara nga Hoti nxisin shqetësime për prodhimin vendor, ndërsa Murati i kundërpërgjigjet duke i krahasuar me periudhën kur Hoti ishte Ministër i Financave.

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësime lidhur me rritjen e konsiderueshme të importeve të mallrave nga Serbia gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave që ai publikoi, në periudhën Janar–Maj 2025 importet nga Serbia kanë arritur në 91.37 milionë euro, një rritje prej 117% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur shuma ishte 42.08 milionë euro.

Hoti paralajmëroi se kjo rritje mund të ndikojë negativisht në prodhimin vendor duke theksuar se “duke pasur parasysh natyrën e mallrave që importohen nga Serbia, ka shumë gjasa që prodhimi vendor të jetë zvogëluar për shumën e rritur të importit”.

Në reagim ndaj kësaj deklarate, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se Hoti po e paraqet situatën jashtë kontekstit. Ai kujtoi se gjatë vitit të kaluar ishin në fuqi masa të sigurisë pas sulmit të armatosur në Banjskë, të cilat ndikuan në uljen drastike të importeve nga Serbia.

“Importi i mallrave nga Serbia sivjet, megjithatë mbetet afërsisht sa gjysma e vlerës që importohej në vitin 2017, kur Avdullah Hoti ishte Ministër i Financave”, tha Murati duke sugjeruar se shifrat aktuale janë ende shumë më të ulëta në krahasim me vitet kur LDK-ja udhëhiqte dikasterin financiar. /Kosova.info/


Go to TOP