“Fshati Mesdhetar” në Prishtinë: Fillon transformimi i Qendrës së Studentëve me mbështetje franceze

Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për një zhvillim të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), është vendosur baza e bashkëpunimit për transformimin rrënjësor të Qendrës së Studentëve në kryeqytet.

Ky projekt përfshin hartimin e planit për rinovimin e konvikteve, palestrës “1 tetori”, mensës së studentëve, qendrës së shërbimeve shëndetësore dhe ndërtesave të tjera brenda kompleksit. Po ashtu, përfshihen edhe sallat e edukatës fizike në 12 shkolla të Prishtinës duke e shtrirë ndikimin e këtij investimi përtej përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

“Veç Lojërave në 2030, ky partneritet transformues do t’u shërbejë edhe studentëve, nxënësve e sportistëve tanë duke krijuar hapësira dhe funksione shtesë, si dhe kushte moderne banimi e aktiviteti”, ka deklaruar ministri Çeku.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Francës dhe për Ambasadën franceze në Kosovë, me theks të veçantë për Ambasadorin Olivier Guerot dhe stafin mbështetës.

Ky investim i përbashkët përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës studentore dhe sportive në Prishtinë, në funksion të ngjarjes ndërkombëtare të vitit 2030 dhe përtej saj. /Kosova.info/


Go to TOP