Rasti Zejnullahu, kritika për ndërhyrje të papjekur dhe joprofesionale

Në emisionin “Prime” në RTK, u diskutua rasti i vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu gjatë një ndërhyrjeje të Policisë së Kosovës në Lipjan, ngjarje e cila ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, profesori universitar Fatmir Çollaku dhe analisti Muhamet Hajrullahu, ndanë mendimet e tyre për mënyrën se si është menaxhuar ky rast nga autoritetet policore, duke ngritur shqetësime për profesionalizmin, maturinë dhe qasjen ndaj përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policorë.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, duke e komentuar rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu gjatë arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, e ka cilësuar ndërhyrjen e zyrtarëve policorë si veprim joprofesional dhe me përdorim joproporcional të forcës.

Sylejmani ka theksuar se në çdo ndërhyrje policore duhen respektuar tri elemente themelore: proporcionaliteti, domosdoshmëria dhe përdorimi minimal i forcës.

“Këto tri elemente në rastin e Agon Zejnullahut nuk kanë qenë të plotësuara në pjesën më të madhe. Numri i policëve ka qenë pesëfish më i madh se i personit që po ndalohej. Në momentin kur personi prangohet, policët duhet të kujdesen edhe për gjendjen shpirtërore të tij”, deklaroi Sylejmani në emisionin “RTK Prime”.

Ai ka shtuar se procedurat që përdoren kur një person është i armatosur nuk mund të zbatohen në raste kur personi nuk paraqet rrezik të tillë.

“Më duket si një ndërhyrje e pamatur, joprofesionale dhe me përdorim të forcës që ka qenë e panevojshme. Ka pasur metoda të tjera për të shmangur këtë situatë”, theksoi ai.

Sipas tij, Ligji për Policinë përcakton qartë të gjitha metodat që duhet të përdoren në situata të tilla, përfshirë përdorimin e armëve dhe mjeteve tjera që mbajnë me vete policët.

“Polici duhet të jetë i aftë, i shkathët dhe i trajnuar mirë për të zgjedhur reagimin adekuat në momentin e duhur, që në radhë të parë të mbrojë veten, por edhe personin që ka përballë dhe qytetarët përreth. Në këtë rast nuk kam parë që rasti të jetë trajtuar me këtë qasje”, shtoi Sylejmani.

Ai theksoi se është e nevojshme të adresohen jo vetëm reagimet e policisë, por edhe shkaqet më të thella që kanë çuar në këtë situatë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.

“Duhet të eliminohen shkaqet që e kanë sjellë policinë në këtë gjendje dhe të parandalohet përsëritja e rasteve të ngjashme, në vend që të reagojmë vetëm pas ndodhive tragjike”, tha Sylejmani.

Edhe profesori universitar, Fatmir Çollaku e cilësoi reagimin policor si të papjekur dhe jo mjaftueshëm profesional.

Sipas tij, situata ka treguar mungesë pjekurie institucionale dhe një nivel jo të duhur të profesionalizmit në menaxhimin e rastit.

“Me të vërtetë është treguar një papjekuri, një jo profesionalizëm. Shumë pjesëtarë të policisë ndaj një individi të paarmatosur, madje edhe pa qëndrim kërcënues – kjo e zbeh nevojën për një reagim të ashpër”, tha Çollaku.

Ai shtoi se me më shumë maturi dhe profesionalizëm, kjo situatë mund të ishte menaxhuar ndryshe dhe rasti tragjik mund të ishte shmangur.

“Me një pjekuri dhe një profesionalizëm më të konsoliduar, mund të ishte evituar kjo që ka ndodhur”, shtoi ai

Megjithatë, Çollaku theksoi se nuk duhet anashkaluar as konteksti i reagimit policor, pasi qytetarët kishin njoftuar për sjellje shqetësuese nga ana e viktimës.

“Janë raste që mund të ndodhin, sepse polici vepron edhe në bazë të ndërgjegjes dhe kërkesave të qytetarëve. Ka pasur ankesa për sjellje të çrregullt dhe ngacmime të vazhdueshme nga personi në fjalë, gjë që ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë”, tha ai.

Ndërsa analisti Muhamet Hajrullahu theksoi rëndësinë e kritikës konstruktive dhe reflektimit institucional.

Sipas tij, tri rastet e fundit të ndodhura në Klinë, Suharekë dhe Lipjan janë momente kyçe që duhet të shërbejnë si pikënisje për diskutim të thelluar mbi funksionimin dhe të ardhmen e Policisë së Kosovës.

“Kritika konstruktive i ndihmon Policisë së Kosovës. Na duhet të japim një mesazh të mirë, sepse këto tri raste kanë ndodhur brenda një periudhe të shkurtër dhe janë sinjal që shoqëria jonë duhet të nxisë diskutim të madh brenda vetë policisë”, ka thënë Hajrullahu.

Ai nënvizoi se është koha të pyesim veten si shoqëri dhe si institucione: Ku është sot Policia e Kosovës? Ku duhet të jetë pas 10 vjetësh? Cilat janë trajnimet që ajo ndjek? Si është ballafaqimi i saj me situatat në terren?

Hajrullahu theksoi se mënyra më e mirë për të ulur presionin publik dhe për të sqaruar situatën është një hetim profesional dhe transparent.

“Zbutja e presionit publik dhe e amullisë që është krijuar kërkon hetim të thelluar dhe të pavarur. Kjo është më e rëndësishmja në këtë fazë. Nuk duhet të bëjmë gjeneralizime, as të targetojmë gjithë institucionin e policisë për një rast të veçantë, dhe mbi të gjitha, rasti nuk duhet të përdoret politikisht”, tha Hajrullahu.

Go to TOP