Policia në Ferizaj identifikon personin që shkaktoi aksident dhe u largua
Policia e Rajonit të Ferizajt ka njoftuar se ka arritur ta identifikojë personin që shkaktoi para një jave një aksident në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit, në aksidenti janë përfshirë një motoçikletë e tipit Gilera dhe një veturë VW Golf, të dyja me targa vendore.
Tutje thuhet se sipas hetimeve fillestare, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të distancës së sigurisë nga ana e drejtuesit të motoçikletës, i cili ka goditur automjetin VW, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Pas aksidentit, drejtuesi i motoçikletës është larguar nga vendi i ngjarjes, por më 08.07.2025 është identifikuar si E.A. dhe është ftuar për intervistim në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu theksohet se ndaj të dyshuarit janë shqiptuar katër gjoba për kundërvajtje, për drejtim të mjetit pa patentë shofer, drejtim me regjistrim të skaduar, largim nga vendi i aksidentit dhe shkaktim i aksidentit në komunikacion.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
