Presidentja Osmani takim në DASh: Kosova dhe SHBA të përkushtuara për partneritet strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., ku ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan. Gjatë këtij takimi, është ritheksuar përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e vendosur për të avancuar bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si siguria dhe mbrojtja, zhvillimi ekonomik dhe investimet strategjike me interes të përbashkët.

“Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim,” u shpreh Osmani duke theksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara është shtyllë e pazëvendësueshme për shtetndërtimin dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP