Kosova largohet nga lista e vendet në konflikt, BQK e mirëpret

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vendimin zyrtar të Bankës Botërore për ta hequr Kosovën nga Lista e Vendeve me Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS – Fragile and Conflict-Affected Situations) duke e cilësuar këtë si një hap historik drejt forcimit të besueshmërisë ndërkombëtare dhe avancimit të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Ky vendim është konfirmuar përmes një shkrese zyrtare të pranuar sot nga Banka Botërore, ndërsa lista e përditësuar është tashmë publikuar në faqen zyrtare të saj. Shiko listën këtu

Heqja nga kjo listë përfaqëson njohje të qartë për progresin që Kosova ka arritur në forcimin e institucioneve, stabilitetin makroekonomik, qeverisjen financiare dhe sundimin e ligjit. Ky rezultat është fryt i bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë koordinimin e ngushtë me Ministrinë e Financave, e Punës dhe të Transfereve, si dhe i angazhimeve të vazhdueshme të BQK-së me partnerët ndërkombëtarë.

Në veçanti, kjo çështje u ngrit me theks gjatë Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në prill të vitit 2025 në Washington DC, ku delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori i BQK-së, zhvilloi takime të drejtpërdrejta me drejtuesit kryesorë të Bankës Botërore dhe FMN-së duke argumentuar domosdoshmërinë e një vlerësimi më realist për kapacitetet dhe maturinë institucionale të Kosovës.

Sipas BQK-së, përfitimet që priten nga ky vendim përfshijnë:

Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të Kosovës;

Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të rrezikut financiar për vendin;

Qasje më të favorshme në financime zhvillimore dhe kapital privat dhe

Komplementim të vlerësimit të parë sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themele ekonomike.

“Kjo arritje forcon më tej reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe mbështet përpjekjet tona të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian,” thuhet në reagimin e BQK-së.

Banka Qendrore ka falënderuar menaxhmentin e Bankës Botërore për këtë vendim duke rikonfirmuar përkushtimin për thellimin e reformave, rritjen e transparencës dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare që kontribuojnë në stabilitetin makro-financiar dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP