Ministri i ‘papërgjegjshmërisë’: Të gjithë flasin për tragjedinë, Sveçla thotë ‘sapo u informova’!
Shkruan: Emanuel Demaj
Ah, zoti ministër, më në fund na u zgjuat! Na falni që ju shqetësojmë nga gjumi i thellë institucional, se krejt qytetarët dhe mediat u lodhën duke raportuar për rastin tragjik në Lipjan, por ja që ju “sapo” u informuat. Kjo quhet efikasitet, apo jo? Si duket, ju informojnë vetëm kur e kanë qejf!
Çka me thonë, për një ministër që dikur i prinin konferencat si zëdhënës nderi i Policisë, me kapelë që s’e heqte as në gjumë, ky reagim pas dy ditësh është progres i madh, duket që keni filluar ta merrni jetën më me qetësi. Jeni bërë si ato radio kasetat e vjetra: nuk ndizeni pa e rrotulluar tre herë kasetën.
E çuditshme si s’keni qenë në dijeni, kur krejt rrjeti e dinte, po ndoshta ju e keni hallin me çështje më të mëdha, si rregullimi i kapelës ose përgatitja e ndonjë selfi patriotik në veri.
Por mirë e thatë, “askush mbi ligjin”… përveç atyre që ju informojnë me vonesë! Apo ndoshta edhe ata e kanë imunitetin e kapelës?
Në fund, ngushëllime familjes së viktimës, për humbjen e njeriut të tyre dhe për fatin e keq që jetojnë në një vend ku ministrat zgjohen veç kur u bien sirenat në derë.
