Problemi me rrjetin e MPB, reagon Kolegjiumi i Drejtorëve të Administratës

Problemet teknike në rrjetin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë të Regjistrit Civil të Kosovës, kanë vazhduar edhe sot, për çka ka pasur reagime nga disa komuna të Kosovës.

Komuna e Ferizajt, ajo Mitrovicës, e Klinës janë disa nga komunat që kanë njoftuar qytetarët edhe sot për këtë problem.

E për këtë ka reaguar edhe Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Administratës.

“Për të dytën ditë me radhë, shërbimet e Gjendjes Civile në Komunat e Republikës së Kosovës janë duke funksionuar me shumë vështirësi, për shkak të mosfunksionimit të sistemit qendror të rrjetit, që është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë thënë se këto probleme po ndodhin pikërisht në kohën e pikut e kërkesave të qytetarëve. “Në një periudhë kur mërgata jonë po kthehet në atdhe dhe kur shumë nxënës kanë nevojë për dokumentacion për regjistrime”, thuhet tutje në reagimin e Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Administratës.

Sipas tyre, institucionet qendrore kanë zgjedhur të heshtin, pa dhënë asnjë njoftim zyrtar, pa asnjë arsyetim, e as përgjegjësi.

“Si Komuna të Kosovës, ndjejmë përgjegjësi të thellë ndaj qytetarëve tanë, të cilët me të drejtë janë të revoltuar dhe të zhgënjyer. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë kësaj papërgjegjësie institucionale, që po i cenon të drejtat më themelore të qytetarëve për qasje në shërbime administrative”, thuhet tutje në reagim.

Ata u kanë bërë thirrje publike Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e funksionimit të rrjetit, dhe njëherësh të dalin me shpjegim të qartë e zyrtar për gjendjen aktuale.

“Ky problem teknik ka bllokuar funksionalitetin e shërbimeve bazë, të cilat janë themelore për realizimin e mbi 90% të kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve publike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror”, kanë thënë nga Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Administratës.

Sipas Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Administratës si pasojë e kësaj, proceset administrative janë ndërprerë ose ngadalësuar ndjeshëm, duke sjellë, siç kanë thënë, pasoja serioze në ofrimin e shërbimeve dhe krijuar shqetësim të theksuar te qytetarët.

“Në këtë situatë të krijuar, ne si Komuna te Republikës tonë, jemi në krah të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të kërkojmë me ngulm zgjidhje konkrete për këtë problem që po rëndon përditshmërinë e secilit prej jush. Jemi në pritje të reagimit dhe veprimeve konkrete nga ana e nivelit qendror”, përfundon reagimi i Kolegjiumit të Drejtorëve të Administratës.


Go to TOP