AgroDev Kosovo dhe ShPQK nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e sektorit të qumështit
Fondacioni AgroDev Kosovo dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (KAMP) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) duke zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre për fuqizimin e sektorit të qumështit në Kosovë.
Ky partneritet strategjik ka për qëllim përmirësimin e prodhimit, rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e zinxhirit të vlerës së qumështit, si dhe fuqizimin e fermerëve vendorë përmes aktiviteteve të strukturuara dhe mbështetjes teknike.
Pikat kyçe të bashkëpunimit përfshijnë: organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe diskutimeve sektoriale me aktorë të fushës; vizita të ndërsjella me fermerë nga rajoni për shkëmbim përvojash; iniciativa në bujqësinë digjitale dhe përdorimin e teknologjive të mençura; fuqizimin e modulit “Pyetni Ekspertin” në platformën Agro Portal; fushata edukative dhe promovuese për produktet vendore të qumështit dhe hulumtime sektoriale dhe thirrje të përbashkëta për projekte zhvillimore.
Objektivat kryesore të Memorandumit janë: rritja e prodhimit dhe përmirësimi i cilësisë së qumështit; ngritja e kapaciteteve të fermerëve dhe organizatave bujqësore; qasje më e mirë në financa dhe treg për prodhuesit vendorë dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe inovacionit bujqësor.
Ky Memorandum shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm duke forcuar lidhjen mes ekspertizës teknike dhe praktikës bujqësore në terren. AgroDev Kosovo dhe KAMP angazhohen të bashkërendojnë forcat në ndihmë të një sektori kyç për ekonominë dhe shëndetin publik në vend.
Me këtë marrëveshje, hapet një kapitull i ri për sektorin e qumështit në Kosovë ë më modern, më i qëndrueshëm dhe më i lidhur me nevojat e fermerëve dhe konsumatorëve. /Kosova.info/
