Kupina shpall iniciativën qytetare “Lidhja e Prishtinës” – Premton transparencë dhe përfaqësim qytetar në Kuvendin Komunal
Fehmi Kupina, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka shpallur sot publikisht krijimin e iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, një platformë që synon përfshirjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje dhe ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Kupina theksoi se kjo iniciativë bashkon gra dhe burra, profesionistë e aktivistë të komunitetit, të cilët ndajnë të njëjtin vizion për një Prishtinë me më shumë zhvillim, më shumë transparencë dhe më shumë përkushtim për të ardhmen.
“Jemi bërë bashkë që ta ruajmë traditën dhe ta ndërtojmë të ardhmen. Jemi bërë bashkë që ta bëjmë Prishtinën vend më të mirë për fëmijët tanë,” u shpreh Kupina.
Ai njoftoi se përmes listës së “Lidhjes së Prishtinës” për Kuvendin Komunal, do të ofrojnë përfaqësim të denjë dhe zë të qytetarit, duke u angazhuar për vendimmarrje të hapur, në sy të publikut dhe jo “prapa dyerve të mbyllura”.
“Dhe këtë nuk do ta bëjmë vetëm. Do ta bëjmë bashkë me Ju, për Ju,” përfundoi deklaratën e tij Kupina, duke ftuar qytetarët të bashkohen në këtë rrugëtim të përbashkët për Prishtinën. /Kosova.info/
