Rama përuron 80 km shtigje malore në Gërmi dhe Gollak: Prishtina bëhet më aktive dhe më e gjelbër

Në kuadër të Prishtina Outdoor Festival, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar përfundimin e mbi 80 kilometrave shtigje malore në zonat e Gërmisë dhe Gollakut. Këto shtigje janë të dedikuara për ecje, vrapim dhe çiklizëm në natyrë duke synuar të promovojnë një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për qytetarët e kryeqytetit.

Për të shënuar këtë projekt të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës rekreative dhe ekologjike, Rama iu bashkua qytetarëve në një ecje simbolike prej 5 kilometrash përgjatë njërës prej rrugëve të sapondërtuara.

“Ky është një tjetër hap konkret drejt një Prishtine më aktive, më të gjelbër dhe më të shëndetshme për të gjithë,” tha Rama duke theksuar rëndësinë e investimeve në natyrë dhe rekreacion urban për cilësinë e jetës në qytet.

Projekti konsiderohet si një ndër ndërhyrjet më të mëdha në infrastrukturën malore të Prishtinës duke i dhënë mundësi qytetarëve dhe vizitorëve të eksplorojnë bukuritë natyrore të zonave përreth, përmes aktiviteteve të ndryshme fizike. /Kosova.info/

Go to TOP