Ju deputetë që ju votuam – a ju dhamë votën për t’ia bërë qefin Serbisë dhe Rusisë, apo për të ndërtuar të ardhmen e Dardanisë?

Shkruan: Halil GECI

Kur vota kthehet në pazare dhe pushteti në privilegj personal – populli nuk përfaqësohet, por tradhtohet.

Kur për opozitarët pushteti është qëllim dhe jo mjet për qytetarin – Albin Kurti nuk bie. Përkundrazi, qëndron. Dhe gjasat janë që të qëndrojë gjatë në krye të kolonës së parë.

Me sa po shihet, ju nuk jeni deputetë për ta ndërtuar shtetin. Nuk jeni aty për ta konstituar Kuvendin – as në herën e parë, as në të 37-tën.

Ju ndodheni aty për një arsye krejt tjetër: për t’i mbushur xhepat me paratë e qytetarëve të këtij vendi – që, për ironi, është ndër më të varfrit në rajon.

Ky është interesi juaj real. Interesi i të zgjedhurve të Dardanisë. I atyre që e quajnë veten “përfaqësues të popullit”, por që realisht nuk përfaqësojnë askënd përveç vetes dhe interesave personale.

E ndërkohë, Albin Kurtin vazhdojnë ta quajnë me çdo epitet të mundshëm: rus, serb, fëmijaxhi, i rrezikshëm, i papjekur… Por ndryshe nga ata që e kritikojnë, ai është ende aty, në pushtet – dhe nuk është lëkundur as edhe një hap.

Ironia është kjo: në këtë vend mund ta quash shqiptarin çfarë të duash – patriot, tradhtar, mashtrues, filozof apo “lider historik” – por zanatin e tradhtisë e kanë kthyer në profesion.

Kur liderët politikë i quajnë kundërshtarët “nomadë” e “gjysmë-nomadë”, nuk po i ofendojnë – po i përshkruajnë. Sepse kush nuk lëviz, nuk ndryshon, nuk zhvillon – bëhet si uji i ndenjur: i padobishëm për popullin dhe i pafuqishëm për vendin.

Ndaj nuk është për t’u habitur pse e njëjta klasë politike që sot e akuzon Kurtin se ‘nuk po lëshon pushtetin’, është vetë e etur për të – jo për ta ndarë me qytetarët, por për ta marrë për vete.

Nëse vërtet do ta kishit hallin e shtetit, në seancën e parë do ta kishit ngritur dorën për ta bërë Kuvendin funksional. Por jo. Sepse kjo nuk është luftë për Kosovën. Është garë për interes personal. Për pushtet. Për privilegj. Për xhep.

Sot, e keni kthyer Kosovën jo në një projekt shtetëror, por në një arenë pazari – ku nuk pyetet kush është më i zoti për të udhëhequr vendin, por kush premton më shumë favore për të kapur pushtetin.

Ju që morët votën e qytetarëve – a mund t’i tregoni këtij populli:

A jeni zgjedhur për të ndërtuar shtetin, apo për të ndarë pushtetin në tryeza të mbyllura?

O populli im, a po e shihni kë po përfaqësojnë realisht ata të cilëve ne ua besuam votën?

Ne, qytetarët, nuk ju kemi votuar për pazare politike, as për bllokim të institucioneve, as për gara për poste e privilegje.

Ju kemi votuar për ndërtimin e institucioneve, për forcimin e shtetit, dhe për t’i shërbyer qytetarëve – me ndershmëri, përgjegjësi dhe dinjitet.

Sot, më shumë se kurrë, është koha të reflektoni:

Po për kë po punoni realisht – për qytetarët, apo për veten tuaj?

Zhgënjimi është i thellë. Ata që luajnë me votën e qytetarit, që e përdorin pushtetin për interesa personale, nuk përfaqësojnë demokracinë – ata përfaqësojnë tradhtinë politike ndaj besimit publik.

Vazhdoni të veproni si të doni. Por mos harroni: zgjedhjet po afrohen. Dhe atëherë, qytetarët do t’ju japin pikërisht atë që po e meritoni.

Sepse nuk ka më justifikime. Populli po sheh, po kupton – dhe do të mbajë mend.

Go to TOP