Instalohet ashensori i 13-të në banesat kolektive të Prishtinës – Rama: Vazhdojmë për më shumë siguri
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar vendosjen e ashensorit të 13-të në banesat kolektive të kryeqytetit, këtë herë në lagjen Lakrishte. Ky është një hap tjetër në kuadër të projektit të Komunës për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurisë në ndërtesat e larta të qytetit.
“Vendoset ashensori i ri në lagjen Lakrishte – i 13-ti deri tani në banesat kolektive të kryeqytetit! Pesë të tjerë janë gati për instalim brenda dy muajve të ardhshëm,” shkroi Rama në një postim në rrjete sociale.
Ai theksoi se ky angazhim është pjesë e përpjekjeve të pandërprera për të ofruar më shumë siguri dhe komoditet për qytetarët e Prishtinës.
Ky projekt për vendosjen e ashensorëve në ndërtesat kolektive është ndër iniciativat e rëndësishme të Komunës që synon të ndihmojë sidomos të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara në lëvizjen e tyre të përditshme. /Kosova.info/
