Aksion i LVV-së në Prizren, i vendosin komunës shiritin `Zonë e Krimit`

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të komunës së Prizrenit, e njohur ndryshe si “Shtëpia e Bardhë”, duke e rrethuar atë me shirit “Zonë e Krimit”.

“Ky veprim simbolik vjen pas ndalimit të zyrtares së urbanizmit, me aktvendim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lëshim të lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjin. Degradimi urbanistik i Prizrenit nuk është pasojë e një apo dy shërbyesve civil. Koka dhe adresa e vërtetë e krimit ndërtimor ndodhen në “Shtëpinë e Bardhë”, tandemi Totaj-Elshani”, thotë Lëvizja Vetëvendosje në Prizren.

Sipas këtij subjekti politik, aksioni erdhi si reagim qytetar ndaj kapjes, siç thonë ata, të institucioneve komunale, “ku të zgjedhurit dhe emëruarit publikë po i përdorin funksionet për pasurim familjarë e klientelist”.

LVV në Prizren ka kërkuar hetim të plotë, përgjegjësi institucionale dhe dorëheqje të menjëhershme të personave të përfshirë.

“Prizreni meriton zhvillim, jo degradim”, thotë Vetëvendosje. /Kosova.info/

Go to TOP