Havolli për ndaljen e projektit “Ishulli Urban”: Shtyllat po vendosen, punishtja nuk rekomandohet për ata që s’e besuan asnjëherë projektin
Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka reaguar pas ndaljes së përkohshme të projektit “Ishulli Urban” nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së.
Ai ka kritikuar skepticizmin e disa qytetarëve dhe komentuesve duke theksuar se projekti është në fazë të avancuar dhe punimet po vazhdojnë me vendosjen e strukturave mbajtëse.
“Kjo punishte nuk rekomandohet për ata që najherë e kanë pa naj render dhe kanë besua që nuk realizohet ai plan. Po e shihni, shtyllat janë në vendosje e sipër,” ka deklaruar Havolli duke lënë të kuptohet se ndalimi është vetëm i përkohshëm dhe projekti do të vazhdojë.
“Ishulli Urban” është një nga projektet më të mëdha të transformimit urban në qendër të Prishtinës, që synon të lidhë lagjen Arbëria me zonën rreth Pallatit të Rinisë përmes një platforme publike me funksione të reja shoqërore dhe kulturore. Ndalimi i punimeve nga MKRS është bërë për shkak të shqetësimeve për ndikimin në trashëgiminë kulturore, por komuna mbetet e përkushtuar për të çuar projektin përpara në përputhje me të gjitha ligjet. /Kosova.info/
