Qytetari nga Hani i Elezit dorëzon portofolin e gjetur me mbi 600 euro në polici

Më 8 qershor 2025, rreth orës 19:15, një akt i lartë qytetarie u shënua në Han të Elezit. Qytetari M.Th., 51 vjeç, nga fshati Paldenicë, dorëzoi në stacionin policor një portofol të gjetur në qytet, në të cilin ndodheshin para dhe sende me vlerë.

Në praninë e tij dhe të zyrtarëve policorë, u konstatua se në portofol kishte 615.12 euro para të gatshme, një zinxhir dore dhe dokumente personale. Pas verifikimeve të kryera nga Policia, u identifikua pronarja e portofolit, L.L., e cila u njoftua dhe erdhi personalisht në stacion për ta marrë atë. Dokumentet, sendet dhe paratë iu kthyen tërësisht përmes një procesverbali zyrtar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarin M.Th. duke e vlerësuar veprimin e tij si një shembull të shkëlqyer të ndershmërisë, humanizmit dhe përgjegjësisë qytetare.

Ky gjest është një dëshmi se vlerat e mira dhe solidariteti mbesin pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. /Kosova.info/

Go to TOP