Shala: Serbia po i trajton pjesëtarët e sigurisë së Kosovës si objekt shantazhi dhe spiunë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka reaguar pas ndalimit të një ish-pjesëtari të strukturave të sigurisë së Kosovës nga autoritetet serbe në kufi, ku ky i fundit u mor në pyetje në lidhje me rastin “Banjska”.

Shala e cilëson këtë ngjarje si një sinjal të qartë dhe të përsëritur për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar ende realitetin e rrezikut. Ai thekson se Serbia ka një qëndrim të hapur agresiv ndaj të gjithë atyre që kontribuojnë në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Çdokush që ka qenë pjesë aktive e strukturave të sigurisë – qoftë aktualisht apo në të kaluarën – duhet ta kuptojë se kalimi në territorin e Serbisë është i rrezikshëm. Autoritetet serbe po i trajtojnë këta persona si ‘subjekt informativ’ dhe shpeshherë edhe si ‘objekt shantazhi’. Budallaku nuk do koment”, deklaron Shala.

Sipas tij, këto ndalime janë pjesë e një operacioni inteligjence nga Serbia, që synon të mbledhë informacione për zhvillimet aktuale të sigurisë në Kosovë. Ai paralajmëron se kjo është një strategji më e gjerë, e paralajmëruar publikisht edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Shala bën thirrje për kujdes të shtuar: të zbatohen urdhrat dhe udhëzimet për ndalim udhëtimi drejt territorit serb; të shmangen publikimet në rrjetet sociale që përmbajnë uniforma, lokacione të ndjeshme apo përmbajtje operacionale dhe të kuptohet se siguria nuk është një lojë e thjeshtë, por një betejë e vazhdueshme në një mjedis të ndërlikuar dhe hibrid.

Në përmbyllje, ai thekson se as ekspertët e sigurisë nuk janë imunë ndaj këtij rreziku duke aluduar se të gjithë mund të jenë pjesë e databazave të shërbimeve serbe të sigurisë. /Kosova.info/

Go to TOP