Çfarë kërkon simboli i UÇK-së në lojëra sportive?!
Shkruan: Pal ShTUFI
Sporti është një art kënaqësie, përballjeje dhe motivimi për fitore përmes angazhimit profesional. Ndërsa fitorja përfaqëson kulmin e shpërblimit të atij angazhimi fizik dhe mendor.
Tifozët janë pjesë e rëndësishme e lojës në çdo sport, por ata duhet të jenë të rëndësishëm për lojën – jo për luftërat e së kaluarës. Sporti nuk është një fushëbetejë për nacionalistë të shkalluar mendsh.
Ç’është ky nacionalizëm kaq primitiv?
Mësoni rininë se përdorimi i simboleve të UÇK-së dhe figurës së Adem Jasharit nuk e nderon as UÇK-në, as Adem Jasharin, kur përdoren në mënyrë të papërgjegjshme. Përkundrazi, i banalizon ata, duke i kthyer në objekt talljeje mes grupeve tifozësh të tërbuar.
Ndërkohë që disa djem kosovarë po sillen si fansa primitivë, vajzat po spikasin me paraqitje dinjitoze, me veshje të bukura dhe simbole kombëtare të nivelit artistik. Djemtë tanë duhet të ndihen të turpëruar kur imitojnë shfaqjet e nacionalizmit mesjetar serb, sepse primitivizëm kaq të shëmtuar sheh vetëm ndër ta.
Ne jemi fitimtarë, prandaj kudo duhet të sillemi si fitimtarë dinjitozë, e jo si fitimtarë të ligj dhe të pamerituar.
Nuk na mungoi vetëm një gol kundër Serbisë, por edhe një grusht mend!
___________
PS:
Faleminderit Shqipërisë, e cila mbrëmë në Tiranë pastroi disa “spërkatje” nacionalistësh primitivë!
