LBK kërkon pezullimin e menjëhershëm të kalimit në tregun e lirë të energjisë: Pa përgatitje, rrezikojmë kolaps ekonomik
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka dalë me një kërkesë urgjente për pezullimin njëvjeçar të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në një reagim të ashpër, LBK e konsideron këtë vendim si të papërgatitur, të njëanshëm dhe me pasoja të rënda për sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi. Sipas LBK-së, zbatimi i këtij vendimi në formën aktuale mund të çojë në: rrezikim të qëndrueshmërisë së sektorit prodhues, vështirësi të theksuara të likuiditetit për bizneset dhe humbje të vendeve të punës dhe destabilizim të tregut të punës.
“Pa përgatitje nuk ka treg të lirë – të shmangim kolapsin ekonomik”, thekson LBK në reagim duke kërkuar një qasje të matur dhe të koordinuar ndërinstitucionale.
Për të tejkaluar situatën, LBK propozon pezullimin e vendimit për një periudhë 12-mujore dhe ndërmarrjen e këtyre hapave urgjentë: kryerjen e një analize të plotë të ndikimit ekonomik, hartimin e një plani tranzicioni të sigurt dhe të drejtë, zhvillimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin e biznesit dhe vendosjen e mekanizmave mbrojtës kundër abuzimeve në tregun e energjisë.
LBK paralajmëron se aplikimi i vendimit në këtë fazë do të rrisë kostot e operimit, do të dëmtojë klimën afariste dhe do të pengojë konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare në tregjet evropiane.
“Ftojmë të gjitha institucionet qeveritare, si dhe odat dhe shoqatat tjera të bizneseve, që të bashkëpunojmë në këtë fazë kritike. Zëri i bizneseve duhet të dëgjohet në mënyrë të barabartë,” thuhet në reagim.
LBK riafirmon përkushtimin për mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe ndërtimin e një tregu të lirë të qëndrueshëm dhe funksional – me përgatitje, përgjegjësi dhe koordinim. /Kosova.info/
