Challandes rikthehet në `Fadil Vokrri` për ndeshjen Kosovë – Armeni

Bernard Challandes, trajneri që dikur ka drejtuar si Kosovën ashtu edhe Armeninë, do të jetë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta ndjekur nga afër miqësoren mes dy kombëtareve.

Dy kombëtaret ndeshen të premten në Prishtinë, respektivisht në stadiumin “Fadil Vokrri”. 

Lajmi për praninë e zviceranit në stadium është bërë i ditur nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka konfirmuar se Challandes është kthyer në Kosovë me ftesën e tij personale.

“Me ftesën time, në Kosovë është rikthyer miku ynë i veçantë, Bernard Challandes. Ish-trajneri i Kosovës dhe më herët edhe i Armenisë, Bernard Challandes, do të jetë i pranishëm në ndeshjen miqësore mes dy kombëtareve që ai dikur i ka drejtuar me pasion dhe përkushtim. Kjo sfidë është më shumë sesa një ndeshje futbolli për të, është një rikthim emocional, një përballje me kujtimet dhe emocionet që e kanë shoqëruar në dy kapituj të rëndësishëm të karrierës së tij si trajner”, ka shkruar Ademi në Facebook. “Jam i lumtur që Bernardi tani gëzon shëndet të mirë dhe pati mundësinë të vijë dhe do ta ndjekë këtë ndeshje nga afër, teksa sonte takoi edhe përzgjedhësin aktual të Kosovës, Franco Foda, si dhe futbollistët tanë me të cilët e lidhë një miqësi dhe respekt i ndërsjellë”. /Kosova.info/


Go to TOP