Havolli: Nga parking në park-rikthehet hapësira e gjelbër në zemër të Prishtinës
Në një hap tjetër drejt transformimit urban dhe rritjes së sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet, Komuna e Prishtinës ka nisur rikthimin e një hapësire që deri vonë ka shërbyer si parking në funksionin e saj origjinal – park për qytetarët.
Sokol Havolli, drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se hapësira në kryqëzimin e rrugës “Luan Haradinaj” dhe “Dritan Hoxha” po shndërrohet në një park publik, ashtu siç ishte konceptuar fillimisht.
“Përshëndetje për të gjithë. Pra, në kryqëzimin e rrugës ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Dritan Hoxha’, aty ku ka qenë parking më herët, tash jemi duke e kthyer në destinimin e vet fillestar që ka qenë hapësirë e gjelbër. Ku ka më mirë se të largohen automjetet prej kësaj hapësire këtu dhe të kthehet në një park për të gjithë qytetarët e qendrës së kryeqytetit. Hapësirë e jashtëzakonshme,” u shpreh Havolli në një video-mesazh drejtuar qytetarëve.
Ai theksoi se ky transformim është pjesë e angazhimit të komunës për të kthyer hapësirat e betonizuara në zona të gjelbra duke kontribuar kështu në përmirësimin e cilësisë së ajrit, jetesës dhe hapësirave për rekreacion në qendër të Prishtinës.
Ky projekt vjen si pjesë e vizionit të Komunës së Prishtinës për një qytet më të jetueshëm, me më pak makina dhe më shumë gjelbërim në hapësirat publike. Rikthimi i kësaj zone në park po mirëpritet nga banorët e qendrës, të cilët do të përfitojnë nga një ambient i pastër dhe relaksues në zemër të qytetit. /Kosova.info/
