“Ec me fëmijët” – Prishtina feston me ngjyra, dashuri dhe buzëqeshje fëmijësh

Kryeqyteti u mbush sot me ngjyra, energji pozitive dhe gëzim fëmijësh në paradën “Ec me fëmijët”, organizuar në zemër të Prishtinës. Mbi 230 fëmijë morën pjesë në këtë ngjarje të veçantë përmes punimeve kreative, performancave artistike dhe aktiviteteve plot dashuri duke shndërruar rrugët e qytetit në një festë të vërtetë të fëmijërisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se “gëzimi i fëmijëve sot e mbushi zemrën e Kryeqytetit” duke theksuar rëndësinë e përkushtimit institucional për një qytet më të ndjeshëm, më të hapur dhe më të dashur për gjeneratat e reja.

“Prishtina është qytet i të ardhmes – dhe kjo e ardhme ka fytyrën e qeshur të fëmijëve tanë,” tha Rama, ndërsa falënderoi të gjithë prindërit, edukatorët dhe organizatorët që bënë të mundur këtë ditë të paharruar.

Parada “Ec me fëmijët” u mirëprit me entuziazëm nga qytetarët duke reflektuar përkushtimin e komunitetit për të promovuar zhvillimin, kreativitetin dhe lumturinë e më të vegjëlve tanë. /Kosova.info/

Go to TOP