Oficerët e FSK-së diplomojnë në Akademinë Ushtarake në Kroaci
Dy oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Zagreb në “Kursin e Diplomacisë së Mbrojtjes”.
Valdet Berisha dhe Shpëtim Ujkani njëri kolonel e tjetri major, ishin në mesin e 20 oficerëve nga katër shtete të rajonit, aty ku FSK-ja thotë se të dy arritën rezultate të shkëlqyera.
“Kursi i Diplomacisë së Mbrojtjes” ka për qëllim që të përgatis oficerët e gradave Major-Kolonel për detyra ushtarako diplomatike, detyra në misione ushtarake, si dhe detyra që lidhen me aktivitetet ndërkombëtare dhe protokollare”, ka bërë të ditur FSK-ja.
Gjithashtu, bëhet e ditur se në Kroaci kanë përfunduar edhe dy kurse tjera në të cilët kanë marrë pjesë katër oficerë të FSK-së. Në kursin “Vëzhgues ushtarak të Kombeve të Bashkuara”, kanë marrë pjesë kapiteni Ismail Sekiraqa dhe Toger Rron Rafuna, ndërsa në “Kursin bazik të Inteligjencës, pjesë ishte togeri Korab Seferi dhe nëntoger, Mendim Muçiqi.
“Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë, një shtet mik i Kosovës po hap dyer për të mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve profesionale në të gjitha fushat e zhvillimit”, thotë FSK-ja. /Kosova.info/
