Prokuroria Speciale: Faton Peci po intervistohet
Prokuroria Speciale e ka konfirmuar për Klankosova.tv. se Faton Peci është duke u intervistuar pas aksionit të sotëm, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në departamentet që janë nën këtë dikaster, mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore.
Nga Prokuroria s’kanë treguar se në çfarë cilësie është duke dhënë deklaratë Peci.
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, zhvilluan sot operacionin policor, te ministria, te AUV-i, te Agjencia për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës, transmeton Klankosova.tv.
Prokurori i rastit, Admir Shala, bëri me dije para gazetarëve se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Jemi duke i zhvilluar bastisjet, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme, drejt zbardhjes së rastit konkret” , tha Shala.
