Kosova dhe Maqedonia e Veriut inaugurojnë sistemin “Hyrje-Hyrje” në Pikëkalimin e përbashkët Glloboqicë–Jazhincë
Më 28 maj 2025 duke filluar nga ora 14:00, në Pikëkalimin e Përbashkët Kufitar Glloboqicë–Jazhincë do të nisë zyrtarisht implementimi i parimit të kontrollit “Hyrje – Hyrje”, një praktikë e re që synon të rrisë efikasitetin dhe sigurinë në qarkullimin ndërkufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoninë e inaugurimit do të marrin pjesë figura të larta shtetërore nga të dyja vendet, përfshirë Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, Ministrin e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, si dhe delegacionet përkatëse.
Ky pikëkalim është njëri nga dy të tillë të paraparë në bazë të Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar mes dy qeverive, marrëveshje e cila u nënshkrua në nëntor të vitit 2024 gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të inaugurimit, zyrtarët do të japin prononcime për media.
Të gjitha mediat janë të ftuara të marrin pjesë dhe të përcjellin nga afër këtë zhvillim të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërshtetëror. /Kosova.info/
