KQZ do të shkatërrojë materialin zgjedhor të shkurtit, por jo atë nën hetim
Janë bërë 22 herë që kur deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhur nga procesi i 9 shkurtit nuk kanë arritur të konstituojnë institucionin më të lart ligjvënës në vend, që rrjedhimisht do t’i hapte rrugë edhe krijimit të qeverisë së re.
Por, fletat e votimit me të cilat u zgjodhën ata si ligjvënës të legjislaturës së nëntë, bashkë me listat e votuesve, formularët e rezultateve të subjekteve dhe të kandidatëve, përvec materialeve që janë pjesë e hetimit nga organet hetuese, do të shkatërrohen. Kështu ka vendosiur KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur sot.
“KQZ mori vendim për shkatërrimin e materialit zgjedhor nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, në mesin e materialeve që do t’i nënshtrohen shkatërrimit janë fletëvotimet, listat e votuesve, formularët e rezultateve të subjekteve dhe të kandidatëve, e të tjera. Materialet që janë pjesë e hetimit nga organet ligjzbatuese do të ruhen deri në përfundim të procedurave përkatëse”, thuhet në njoftimin e shpërnfdarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Vendim aty u mor edhe për pagesën e rreth 130 personave të angazhuar si staf në Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike dhe stafit të angazhuar në tërheqjen e dërgesave postare në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025
Ndërkohë KQZ-ja ka bërë të ditur se kanë vendosur për organizimin e një punëtorie në bashkëpunim me Komisionin e Venecias në javën e fundit të muajit qershor.
“Komisioni i Venecias ofron asistencë para ose pas zgjedhjeve gjatë të cilave merr pjesë në misione vëzhgimi të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe qëllimi i kësaj punëtorie është që të ndihmojë analizën paszgjedhore dhe të kontribuojë në forcimin e integritetit dhe funksionalitetit të proceseve zgjedhore në Kosovë”, thuhet ndër të tjera aty.
“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e dy akteve nënligjore: Rregullores Zgjedhore nr. 03/2024 krijimi, konfirmimi dhe kudnërshtimi i listës votuese dhe Rregullores Zgjedhore nr. 10/2024 për fletëvotimet dhe broshurat”, njoftoi ky institucion.
KQZ-ja ka miratuar kërkesën për zëvendësimin e anëtarit të Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë, Artan Asllani, pasi i njëjti është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës dhe në vend të tij emërohet kandidati i radhës, Qerim Gara.
