Prishtina njofton për ndërprerjen teknike të numrave emergjentë: Mosfunksionimi zgjati rreth një orë
Pas disa videove dhe shqetësimeve të ngritura në rrjetet sociale lidhur me mosfunksionimin e numrave emergjentë të Kryeqytetit, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka dalë me një sqarim për opinionin publik.
Sipas njoftimit zyrtar, numrat 0800 122 33 dhe 0800 122 44, të cilët i përkasin Qendrës Operative Emergjente të Kryeqytetit, kanë qenë jashtë funksionit për një periudhë rreth njëorëshe për shkak të një defekti teknik nga ana e PTK-së.
“Ndërprerja nuk ka qenë e qëllimshme dhe nuk ka pasur asnjë synim për të shmangur komunikimin me qytetarët apo raportimin e ankesave,” thuhet në njoftim.
Drejtoria gjithashtu kërkon mirëkuptim nga qytetarët në rastet kur operatori kujdestar nuk është menjëherë i qasshëm duke theksuar se kjo ndodh për shkak të ngarkesës së madhe dhe numrit të lartë të thirrjeve që pranon Qendra Operative gjatë 24 orëve të saj të funksionimit.
“Çdo ankesë që paraqitet pranohet, trajtohet dhe përcillet me prioritet tek drejtoritë përkatëse,” siguron Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
Autoritetet falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. /Kosova.info/
