Rama: Skandale dhe dështim në “Pastrimi”-Përkundër investimeve milionëshe, komuna kërkon përgjegjësi nga menaxhmenti
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me keqmenaxhimin e ndërmarrjes publike “Pastrimi”, pavarësisht një mbështetjeje të konsiderueshme financiare nga ana e komunës.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Prishtinës ka investuar mbi 12 milionë euro në të hyra dhe subvencione për ndërmarrjen, ka financuar 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj, si dhe ka siguruar 3,800 kontejnerë të rinj, të gjitha të financuara nga buxheti komunal.
Megjithatë, këto investime nuk janë përkthyer në rezultate konkrete për qytetarët. Sipas Ramës, menaxhmenti i ndërmarrjes ka dështuar sistematikisht në përmbushjen e misionit të vet duke sjellë pas vetes edhe një sërë skandalesh të keqpërdorimit të parasë publike.
Kryetari Rama ka drejtuar disa pyetje të drejtpërdrejta publike ndaj Kryeshefit të “Pastrimi”, për të cilat kërkon përgjigje transparente:
Cila është paga e Kryeshefit dhe e anëtarëve të tjerë të menaxhmentit?
Sa bonuse dhe shtesa janë shpërndarë gjatë periudhave me humbje financiare?
Për çfarë arsye janë shpenzuar miliona euro për “konsulenca”?
Pse janë të punësuar 900 punëtorë për vetëm 30 kamionë, dhe si arsyetohet ky raport i pabarabartë?
Nga janari deri në maj janë raportuar humbje – sa punëtorë janë punësuar në këtë periudhë dhe mbi çfarë kriteresh?
Cili është borxhi aktual i Komunës ndaj “Pastrimi” dhe pse ky informacion nuk është bërë publik?
Rama thekson se “absurditeti, papërgjegjësia, dezinformimi dhe keqpërdorimi menaxherial në këtë ndërmarrje ka kaluar çdo kufi” dhe ka kërkuar përgjegjësi të menjëhershme nga drejtuesit e saj.
Ky reagim shënon një kthesë të rëndësishme në raportin mes Komunës dhe ndërmarrjeve publike duke sinjalizuar se koha e mosndëshkimit ka marrë fund dhe se qytetarët meritojnë transparencë dhe efikasitet në shërbimet që paguajnë. /Kosova.info/
