Muharremi: Kriza e energjisë u zhduk nga fjalimi i Kurtit, por jo nga faturat e qytetarëve

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbajtur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai vëren se, ndonëse fjalimi përmbante rreth 31,053 karaktere dhe zgjati 45 minuta, kriza e energjisë nuk u përmend asnjëherë.

Muharremi thekson se në fjalimin e gjatë me rreth 5,164 fjalë nuk u tha as edhe një fjalë për faturat e larta, rritjen e çmimit të rrymës deri në 128%, apo për bizneset e përjashtuara nga rrjeti, të cilave tani u kërkohet të paguajnë deri në 260% më shumë për energjinë elektrike të prodhuar nga resurset publike.

“Kriza e energjisë, një ndër sfidat më të mëdha të qytetarëve dhe ekonomisë, nuk u përmend fare, në një fjalim që pretendon të shtjellojë drejtimin strategjik të shtetit,” shkruan ai, duke shtuar se kjo ose është një shmangie e qëllimshme, ose neglizhencë politike, të dyja sipas tij, të pafalshme.

Ai kujton se Kurti asnjëherë nuk ka folur publikisht për krizën energjetike, edhe pse kjo temë është ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve. “Krizën e zhdukën nga fjalimi, por jo nga faturat dhe barra e qytetarëve dhe bizneseve,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP