Koraq: Serbia në krizë të thellë, dialogu me Kosovën i lënë pas dore
Profesori universitar në pension dhe ish-nënkryeministri i Qeverisë së Serbisë, Zharko Koraq, vlerëson se Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike, për të cilën ai nuk sheh zgjidhje të afërt.
Duke folur për RTK-në, Koraq thekson se edhe procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është aktualisht i ngrirë dhe i braktisur. Ai e sheh vizitën e presidentit Aleksandar Vuçiq në Moskë si përpjekje për të ruajtur mbështetjen e elektoratit prorus, ndërsa interesi i bashkësisë ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor, sipas tij, është dobësuar.
Sipas Koraq, Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike pa dalje të qartë. Në një bisedë për RTK-në, ai thekson se formimi i një qeverie kalimtare mund të ishte një hap i parë drejt zgjidhjes. Koraq vlerëson se protestat studentore kanë zgjuar qytetarët dhe kanë rikujtuar se në shoqëri ekziston një pakënaqësi më e gjerë. Protestat, sipas tij, nuk po ndalen dhe kanë tronditur seriozisht regjimin, ndërsa pushteti përpiqet t’i imitojë me mënyra artificiale, pa sukses.
“Studentët janë shumë të motivuar dhe të vendosur në protestat e tyre. Vuçiqit po i bie popullariteti, edhe më shumë partisë së tij. Ai vetë më pak, sepse është vazhdimisht i pranishëm në media, është pika kyçe e këtij regjimi. Çdo ditë është në publik, përpiqet ta mbajë rejtingun, por megjithatë vështirë se do ta rikthejë popullaritetin që kishte“, deklaron Koraq, duke shtuar se përpjekjet e presidentit për të imituar protestat studentore janë të dështuara.
Sipas tij, situata është shumë serioze. „Kriza është shumë e thellë, në prag të incidenteve serioze. Vuçiq është i sigurt nëse do të mund ta ndalte atë me dhunë, dhe ka frikë se kjo do të shkaktonte kundërshtime edhe më të mëdha, dhe në këtë ka të drejtë. Serbia është në krizë dhe nuk shoh zgjidhje për këtë krizë.“
Në lidhje me propozimin e fundit të opozitës për formimin e një qeverie kalimtare, Koraq thotë se kjo mund të jetë rruga. “Është një zgjidhje e mundshme, megjithëse nuk kam ndonjë qëndrim ideal për qeveritë kalimtare. Por ato ndonjëherë mund të krijojnë kushte për zgjedhje të drejta dhe ulje të tensioneve.“
Koraq veçon rolin e mediave si burim kyç i pushtetit. “Prandaj lufta për kontrollin e rregullatorit të mediave është kaq e rëndësishme, sepse mediat e mbajnë këtë pushtet. Kontrolli mbi mediat është themeli i mbijetesës së tij.“
Vuçiq në Moskë për shkak të votuesve të vet
Duke folur për vizitën e presidentit Vuçiq në Moskë më 9 maj, ku ka marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores dhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin, Koraq vlerëson se bëhet fjalë për një hap të drejtuar kah elektorati vendor.
“Vizita në Moskë për shkak të elektoratit të tij. Ai kujdeset për atë trup votues. Serbia është i vetmi vend në Evropë ku janë të pranishëm mediat shtetërore ruse dhe propaganda ruse, të ndaluara në të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe në rajon. Ai dëshiron të tregojë se ende është një aleat besnik. Ky veprim nuk do ta përmirësojë pozitën e tij në Perëndim.“
Sipas tij, BE-ja është tepër e ngarkuar me problemet e veta për t’u marrë seriozisht me veprimet e jashtme të Vuçiqit. „Lufta në Ukrainë, pasiguria amerikane me Trumpin, e ardhmja e paqartë e NATO-s, këto janë prioritetet. Jo vizita e Vuçiqit në Moskë.“
Dialogu me Kosovën – konflikt i braktisur
Për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Koraq vlerson se bëhet fjalë për konflikt e lënë pas dore dhe nuk është në fokusin e aktorëve vendorë apo ndërkombëtarë, ndërsa mundësitë për përparim janë të vogla.
“Vuçiq ka probleme të mëdha të brendshme dhe nuk ka kapacitete të merret seriozisht me këtë. Prishtina gjithashtu ka problemet e saj, duhet të formojë një qeveri të re. Aktualisht, nuk kam asnjë optimizëm. Është një konflikt i ngrirë, i anashkaluar, i lënë pas dore. Dhe kjo është më e keqja. Ai do të mbetet i tillë, me marrëveshje që nuk zbatohen. Nuk e shoh që Serbia do ta njohë Kosovën, këto janë pritje joreale.“
Megjithatë, Koraq thekson se duhet të synohet vendosja e një jete normale, pa frikë të përhershme nga konflikti. Ai përfundon se çështja e pazgjidhur e Kosovës mbetet pengesa më e madhe për rrugën evropiane të të dy vendeve.
“Nëse ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Gjithmonë ka, por duhet gatishmëri nga të dyja palët.“
