Nga deponi në park botanik – Rama prezanton projektin e ri në lagjen Kolovica

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar para qytetarëve projektin e “Fushës së Pajtimit” – një transformim i një hapësire të degraduar në një park botanik modern, në zemër të lagjes Kolovica.

Sipas Ramës, ky projekt nuk është vetëm një investim në mjedis dhe estetikë urbane, por edhe një zgjidhje funksionale për menaxhimin e rrezikut nga vërshimet, që kanë qenë shqetësim i kahershëm për banorët e kësaj zone.

“Po punojmë çdo ditë për më shumë hapësira të gjelbra në Kryeqytet. ‘Parku Botanik’ do të jetë një vend i pajtimit me natyrën, ku banorët e Kolovicës dhe gjithë qytetit mund të pushojnë, të ecin dhe të frymojnë më lirshëm”, tha Rama gjatë prezantimit publik të projektit.

Projekti pritet të fillojë së shpejti dhe synon të shndërrojë një zonë të lënë pas dore në një pikë tërheqëse për komunitetin dhe vizitorët duke forcuar angazhimin e komunës për një Prishtinë më të gjelbër, më të pastër dhe më të jetueshme. /Kosova.info/


Go to TOP