Kurti për Luan Haradinajn: Jetoi mes zjarrit të dijes dhe luftës – një luan që mbronte shokët dhe atdheun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar me nderim dhe mall dëshmorin Luan Haradinaj në përvjetorin e 27-të të rënies së tij. Në një deklaratë të ndjerë, Kurti e përshkroi Luanin si një të ri të guximshëm e trim, student dhe luftëtar, që jetoi mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës.

“Luani i mbronte shokët, e mbronte atdheun e luftonte për liri,” tha Kurti duke theksuar se aksionet e tij guerile kundër policisë serbe kanë qenë të panumërta, sepse në mendje e në zemër kishte atdheun dhe gëzimin e lirisë për të gjithë ne.

Luan Haradinaj u vra më 6 maj 1997, në moshën 23-vjeçare, teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky kufi, që e përshkonte shpesh për studime dhe për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së me armatim, u bë vendi i rënies së tij heroike.

“Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit,” përfundoi Kurti.


Go to TOP