Shtjefën Doda: Papa Françesku gjithmonë ka ngritur zërin për paqe e mëshirë
Papa Françesku ka qenë një Papë që e ka pasur origjinalitetin, stilin e vet, ka dëshiruar të sjellë vëmendje për shtresat e varfra, tha Don Shtjefën Doda, prift katolik, i ftuar në RTK, me rastin e mbajtjes së ceremonisë së varrimit që po zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Shtjefën Doda theksoi se Papa Françesku gjatë kohës së tij e ka theksuar shumë mëshirën dhe ka kërkuar në mënyrë konkrete dhe të jashtme se për të bërë me dije se për mëshirë jemi të thirrur.
“Tregtia me armë është një prej plagëve më të mëdha të kohëve të fundit dhe gjithmonë Papa e përsëriste se lufta është disfatë, dështim, në luftë nuk përfiton askush. Është përpjekur me e ngrit zërin gjithmonë edhe me i ftuar njerëzit për paqe në nivel botërorë”, tha ai.
Doda tutje shtoi se Papa Françesku ka shkuar në vendet në konflikte dhe luftëra, madje edhe në Irak ku siç tha ai është kërcënuar edhe jeta e tij për t’u treguar se duhet të ketë paqe.
“Në takim me Imamin e Madh Ahmed al-Tayeb, e kanë nënshkruar një deklaratë që nuk mund të luftohet në emrin e zotit sepse është përdhosje e fesë”, tha Doda. /Kosova.info/
