Xhafer Murtezaj rikujton pranverën e vitit 1990: Pajtimi i gjaqeve si themel i bashkimit për liri

Xhafer Murtezaj, profesor dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, ka ndarë një rrëfim emocionues për Lëvizjen e Pajtimit dhe Faljes së Gjaqeve në Kosovë duke theksuar rëndësinë historike dhe shpirtërore të kësaj nisme në pranverën e vitit 1990. Në një postim publik, Murtezaj rikujton periudhën e rëndë të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90, kur Kosova po kalonte nëpër një shtypje të ashpër nga regjimi serb dhe rinia shqiptare ndjeu nevojën për bashkim.

Murtezaj kujton se si pas vrasjes së studentit Drenicas, Selman Vojvoda, babai i tij Nezir Vojvoda e fali publikisht gjakun me fjalët: “Plumbat do i ruajmë për armikun” duke shënuar një kthesë historike që frymëzoi themelimin e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Komunën e Skënderajt. Ky këshill përbëhej nga figura të shquara si vetë Murtezaj (kryetar), Azem Xani, Sejdi Koca, Idriz Rreci, Muharrem Derguti e të tjerë, të cilët morën mbi supe një barrë të madhe kombëtare: shërimin e plagëve të brendshme shqiptare.

Në përshkrimin e tij, Murtezaj ndalet edhe tek momentet prekëse të faljes së gjakut nga figura të jashtëzakonshme si Zymer Spahia, Murat Kushutani dhe Nën Nuria, që me fjalët dhe aktet e tyre bënë histori dhe frymëzuan një popull të tërë. Ai kujton gjithashtu edhe përkrahjen e intelektualëve dhe figurave kombëtare, përfshirë profesor Anton Çetën dhe komandantin legjendar Adem Jashari me vëllain Hamzën, si flakadanë të kësaj lëvizjeje.

Murtezaj veçon gjithashtu kontributin e madh të aktivistëve dhe nënkëshillave në të gjitha fshatrat e Skënderajt duke përmendur me emra dhjetëra veprimtarë që dhanë gjithçka për të sjellë faljen në çdo derë shqiptare. Sipas tij, në Skënderaj janë falur mbi 70 gjakmarrje, plagë dhe ngatërresa – një arritje që shënoi fundin e gjakmarrjes dhe fillimin e bashkimit të madh kombëtar drejt lirisë.

“Nëse ky vit do të kujtohet për diçka, le të jetë si viti i fundit i gjakmarrjes dhe fillimi i bashkimit të popullit shqiptar për liri,” përfundon Murtezaj duke u përkulur para të gjithë atyre që shtrinë dorën e pajtimit.

Go to TOP