`Prishtina Outdoor Festival`, një eksplorim i natyrës e shëndetit

Nga 11 deri më 15 qershor, Klubi Alpin Prishtina, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Radiotelevizionin e Kosovës, organizon “Prishtina Outdoor Festival”, një ngjarje që e sjell natyrën dhe aktivitetet fizike më pranë qytetarëve. Me aktivitete të shumta në zonat e Gollakut, ky festival do të ofrojë mundësi për eksplorimin e bukurive natyrore, përfshirjen në sporte dhe rekreacion shëndetësor, si dhe promovimin e turizmit dhe kulturës lokale.

Në një postim në Facebook, Klubi Alpin Prishtina njofton se, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me Radiotelevizionin e Kosovës, si sponsor medial, organizon këtë festival që vlerësohet si një festë e natyrës, sportit, turizmit, rekreacionit shëndetësor, aventurës dhe komunitetit aktiv, duke ofruar kështu një larmi aktivitetesh dhe argëtimi në mjedise të hapura në natyrë, me theks në zonat rurale të Gollakut.

“Për 5 ditë me radhë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme që përfshijnë klube, shoqata, subjekte natyrore, subjekte biznesi dhe komunitetin e jetës aktive në përgjithësi, duke shfaqur kështu vitalitetin e qytetit dhe dinamikën inovative dhe rekreative të banorëve të Prishtinës,” njofton Klubi Alpin.

Sipas këtij klubi, festivali synon promovimin e zonës turistike të Gollakut dhe Prishtinës, zhvillimin e rekreacionit shëndetësor dhe sportiv, theksimin e resurseve turistike të regjionit, si dhe shfaqjen e vlerave ambientaliste dhe kulturore. /Kosova.info/

Go to TOP